Ekspertiza në procesin legjislativ, Kuvendi marrëveshje me 23 universitete

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ – Ekspertiza dhe kompetenca shkencore e universiteteve dhe qendrave kërkimore të vendit do të shfrytëzohet në procesin legjislativ dhe kontrollin parlamentar, si një vlerë e shtuar dhe e mirë publike për vendin.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, nënshkroi sot marrëveshjet e bashkëpunimit me 23 universitete publike e jopublike të vendit si edhe me Akademinë e Shkencave.

Marrëveshjet parashikojnë shfrytëzimin e ekspertizës dhe kompetencës shkencore të universiteteve dhe qendrave kërkimore të vendit në procesin legjislativ dhe kontrollin parlamentar, si një vlerë e shtuar dhe e mirë publike për vendin.

Marrëveshjet nxisin rritjen e fuqisë kontratuale të universiteteve dhe qendrave kërkimore në tregun e kërkimit shkencor në Shqipëri. Marrëveshjet parashikojnë gjithashtu që studentët do të kenë mundësi të bëjnë më shumë praktika pune në Kuvendin e Shqipërisë dhe universitetet të kenë më shumë akses në burimet dhe veprimtaritë e Kuvendit.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, zhvilloi një bashkëbisedim me rektorët dhe nënvizoi se “Kuvendi i Shqipërisë do të mbështesë universitetet dhe qendrat kërkimore që të bëhen aktorë më të fuqishëm dhe më të ndjeshëm në jetën ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore të vendit, të shndërrohen në kantiere të ekonomisë së dijes, të kontribojnë që rritja ekonomike “të përkthehet” në vende pune e mirëqenie për qytetarët, të ngushtojë pabarazinë dhe të konsolidojë drejtësinë sociale”.

Rektorët e falënderuan Kryetarin e Kuvendit për këtë mundësi të re që u krijoi universiteteve e qendrave kërkimore, Kuvendi i Shqipërisë. Ata e vlerësuan si një ngjarje të rëndësishme faktin që për herë të parë universitetet shqiptare thirren në Kuvend me një ofertë konkrete bashkëpunimi.

Gjatë bashkëbisedimit u rrahën mendime mbi disa aspekte themelore, në të cilat duhet të përqendrohet veprimtaria akademike e kërkimore-shkencore në Shqipëri; si të vazhdohet e thellohet reforma në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, si të fuqizohet bashkëpunimi midis vetë universiteteve e qendrave kërkimore, si edhe nevojën për rritjen e burimeve financiare, materiale e njerëzore për fuqizimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.