“Doing Business” vlerëson Shqipërinë: E sigurt për investime

TIRANE, 31 tetor/ATSH/- Raporti më i fundit i “Doing Business” vlerëson përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.

Raporti “Të bësh biznes 2019”, përpiluar nga Banka Botërore, i cili u publikua sot evidenton faktin se të investosh në Shqipëri po bëhet gjithmonë e më e lehtë dhe më e sigurt.

Sipas raportit të “Doing Business” 2019, reformat e ndërmarra përgjatë të gjithë këtij viti kanë dhënë një impakt të drejtpërdrejtë.

Reforma për dixhitalizimin ka dhënë rezultat, pasi shumë burokraci dhe procedura që kërkonin kohë dhe kishin një kosto financiare për biznesin, janë hequr falë automatizimit.

Ndryshimet ligjore në fushën e përmbarimit, amendimi i Kodit të Procedurave Civile, thjeshtimi i procedurave për mosmarrëveshjet/ankesat janë vlerësuar nga Banka Botërore si disa nga ndryshimet më pozitive, krahasuar me një vit më parë.

Sipas BB, Shqipëria renditet e 63-ta në botë dhe lë pas disa vende të rajonit, ndërsa në rang europian, vendi ynë vlerësohet si një vend mesatar përsa i përket lehtësirave të të bërit biznes.

Në 5 vitet e fundit, Shqipëria është një prej vendeve që ka bërë përparimin më të madh në nivel botëror, duke u përmirësuar plot 45 vende, nga pozicioni i 108 në botë që ishte në 2013-n. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.