Stadium i standardeve europiane në Kukës

TIRANË, 30 tetor/ATSH-Maela Marini/ – Një stadium i ri sipas standardeve europiane do të ndërtohet në Kukës.

Lajmin e bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, në takimin e organizuar në Kukës për anëtarësimet e reja në PS.

“Falënderoj ata që kanë hedhur hapin për t’u bërë pjesë e PS-së. Falënderoj Safet Gjicin dhe më vjen shumë mirë që ai është angazhuar seriozisht për ta bërë edhe PS-në e Kukësit si dhe ekipin e Kukësit, shpresoj t’ia dali me sukses. Për ekipin e Kukësit ne e kemi marrë një angazhim dhe nesër në qeveri do të vendosim edhe financimin për stadiumin e ri”, – tha Rama.

Kryeministri informoi se, “në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit kemi rënë dakord, që ashtu si kemi bërë për stadiumin e Shkodrës dhe atë të Elbasanit, do të vendosim nga ana jonë kontributin financiar”.

“Federata do të bëjë të vetën dhe shpresa është që në bashkëpunim me klubin të fillojmë sa më shpejt punën dhe sezonin e ardhshëm Kukësi ta fillojë në stadiumin e vet modern me të gjitha standardet e nevojshme për të luajtur edhe ndeshje ndërkombëtare”, – tha Rama.

Kjo sipas Ramës, do të ndikojë në zhvillimin ekonomik e social të qytetit, pasi një qytet me aeroport e stadium modern nuk braktiset, por gjithmonë dëshiron të kthehesh.

Kryeministri u ndal edhe te Rruga e Kombit, duke theksuar se “projekti i Rrugës duhet çuar deri në fund”. “Rruga e papërfunduar dhe një sërë pikash problematike ishin arsyeja e gjithë asaj historie që kaluam. Nuk është e tepërt t’ju kërkoj ndjesë juve dhe të gjithë banorëve dhe familjeve të zonës për shqetësimin që krijuam, pasi ishte një situatë që duhet të ishte evituar”, – tha Rama.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.