Projekt për zhvillimin e turizmit në Shishtavec

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/188063775412685/

TIRANË, 30 tetor/ATSH-Maela Marini/ Qeveria është duke punuar për të çuar përpara një projekt shumë serioz për zhvillimin e turizmit në zonën e Shishtavecit.

Kështu deklaroi sot nga Kukësi, Kryeministri Edi Rama në vijim të fushatës së anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste.

Duke u ndalur te potenciali i madh që ka kjo zonë për turizmin e borës dhe skive, Kryeministri theksoi se “kemi një projekt konkret të një investimi privat në Shishtavec”.

“Është investim i disa djemve nga Kukësi, së bashku me investitorë të tjerë të huaj, por ne do të bëjmë çmos ta nxisim këtë projekt që të hapet kjo perspektivë”, – tha Rama.

Sipas Ramës, mjafton të krijohen kushtet që turistët e huaj ta shohin për herë të parë këtë zonë dhe ata do të duan të kthehen sërish, sepse ka potencial shumë të madh.

“Kjo do të nxisë edhe një zhvillim më fitimprurës përmes bujqësisë, blegtorisë dhe një efekti të tërë zinxhir në ekonomi. Këto janë gjëra konkrete dhe nuk janë fantazira që lidhen në mënyrë direkte apo indirekte me aeroportin e ri”, – tha Rama.

Sipas Kryeministrit, aeroporti që është trashëguar është në gjendje të rënduar, sepse nuk është marrë njeri për shumë vite.

Ndërsa në projektin e aeroportit të ri, sipas tij, do të zgjatet pista për të akomoduar të gjitha ato kategori fluturimesh, që sipas studimit, janë në potencialin e këtij aeroporti.

“Do të ndërtohet terminal i ri modern për pasagjerët dhe të gjitha shërbimet dhe sigurisht do të kthehet në një pikë nevralgjike për gjithë zhvillimin e mëtejshëm të transportit tonë ajror”, – tha Rama.

Rama shprehu bindjen se aeroporti i ri do të sjellë një transformim të madh, sepse do ta bëjë Kukësin një portë hyrëse dhe dalëse me Kosovën.

Po ashtu sipas tij, duke u çelur aeroporti do të ketë një impakt shumë të rëndësishëm në ekonominë e zonës dhe punësimin, sepse do të krijojë një efekt zinxhir. /e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.