Programi i Diasporës, Majko vizitë zyrtare në Irlandë

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko është duke zhvilluar një vizitë në Irlandë, me qëllim njohjen më nga afër të programit të Diasporës që ky vend ka.

Gjatë ditës së sotme ministri i Shtetit ka zhvilluar takime në Departamentin irlandez për Punë të Jashtme si dhe është njohur me platformën “ConnectIreland”, prezantimi i së cilës u bë nga Kingsley Aikins, CEO i organizatës “Diaspora Matters”.

Kjo vizitë e ministrit të Shteti për Diasporën është organizuar nga IOM Albania, qëllimi është studimi i modelit që irlandezët kanë ndjekur në angazhimin e diasporës së tyre.

Irlanda është një shembull i suksesshëm sesi angazhimi i diasporës mund të orientohet drejt rritjes së investimeve të huaja në vend. Nëpërmjet platformës “ConnectIreland”, irlandezët kanë krijuar një qasje më të lehtë për diasporën e tyre që të ndihmojë tërheqjen e bizneseve të huaja për të investuar në vend./m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.