Tatimet thirrje tatimpaguesve: Mos fshihni aktivitetin real

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ – Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i bën thirrje tatimpaguesve që të përmbushin me korrektësi detyrimet tatimore, duke deklaruar aktivitetin real që ata ushtrojnë dhe të mos e fshehin atë.

Administrata Tatimore ka konstatuar nga monitorimi i vazhdueshëm se ka tatimpagues aktivë që kanë pasur rënie në xhiron e deklaruar në kasat fiskale, krahasuar kjo me periudhat paraardhëse. Tatimpaguesit do të duhet që të vetëkorrigjojnë raportimet, duke reflektuar aktivitetin real që ushtrojnë.

Të gjitha rastet e tatimpaguesve do të trajtohen përmes sektorit të Kontrollit në çdo Drejtori Rajonale Tatimore nëpërmjet thirrjeve në zyrë, vizitave në terren, vizitave fiskale në raste të veçanta, si dhe përmes çdo rruge tjetër komunikimi që do t’i shërbente përmirësimit të raportimit të qarkullimit me pajisje fiskale.

Administrata Tatimore ka konstatuar edhe tatimpagues, të cilët rezultojnë se nuk kanë transmetuar rregullisht shitjet e tyre ditore. Tatimpaguesit duhet të vënë në dijeni Administratën Tatimore në lidhje me shkaqet, për të cilat nuk është bërë i mundur transmetimi, si dhe të marrin masa për të rregulluar problemin.

Nëse në vijim, nga ana e tatimpaguesve nuk do të merren masat e nevojshme për përmirësimin e raportimit me kasë fiskale dhe transmetimet ditore të shitjeve, ata do të bëhen objekt i kontrolleve tatimore.

Këto kategori tatimpaguesish do të njoftohen përmes telefonit nga stafi i Qendrës së Thirrjeve.

Qëllimi i Administratës Tatimore nuk është penalizimi, por ndërgjegjësimi i tatimpaguesve për përmbushjen vullnetare të detyrimeve të parashikuara sipas legjislacionit. /o.l/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.