Rriten eksportet bujqësore, kryeson agroindustria dhe peshkimi

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Viti 2018 mund të thuhet që është një vit shumë i mirë për eksportet e prodhimeve bujqësore shqiptare, të cilat shënojnë një rritje prej 9,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Të dhënat zyrtare tregojnë se për 9-mujorin e parë të 2018, të gjithë kapitujt kanë rezultuar me rritje.

Rritjen më të madhe e ka sektori i peshkimit me 34,6%, blegtoria me 11,8%, agroindustria me 8,7% e ndjekur më pas nga bujqësia me 3%.

Në zërin bujqësia, vëmë re se disa nga artikujt e saj kanë shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me 9–mujorin e 2017.

“Kështu, patatja është dyfishuar në krahasim me 9-mujorin 2017, domatja ka një rritje prej 2,1%. Zëri perime të tjera si qepë, presh, hudhra dhe zarzavate të tjera djegëse, sallatë marule dhe cikore, kastraveca etj, në total kanë shënuar një rritje me 6,3%, e përkthyer në vlerë monetare nga 1.4 mld lekë në 1.5 mld lekë në 2018”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Po ashtu dhe eksporti i frutave, ku dhe këtu bëjnë pjesë artikuj me potencial eksporti si luleshtrydhja, ka shënuar një rritje prej 35%.

Një pjesë e mirë e këtyre artikujve janë pjesë e shportës së 15 artikujve të përzgjedhur si potenciale të larta eksportuese.

Kjo shportë u kompozua në bazë të kritereve, që kanë të bëjnë me matjen e fluksit të eksportit të produktit, me potencialet e tyre në të ardhmen dhe me masën e punësimit dhe që u bë publike në Konferencën Kombëtare të Bujqësisë. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.