Rijetëzohet kisha e Shën Kollit, monumenti i kultit bizantin më i spikatur në rajon

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ – Kisha e Shën Kollit ndodhet në fshatin Perondi, rrethi i Kuçovës, rreth 18 km nga qyteti mesjetar i Beratit dhe përbën një nga monumentet më të hershme bizantine në Shqipëri.

Gjatë shekujve kisha ka pësuar mjaft transformime në rrafshin arkitektonik. Në vitin 1970 kisha i është nënshtruar një restaurimi të mirëfilltë nga specialistët e Institutit të Monumenteve.

Në fillimet e saj, monumenti ka qenë një bazilikë tri nefshe me nefin qendror të ngritur lart dhe me narteks dhe sipas studiuesve i përket shekullit XI. Në një fazë të dytë gjatë përiudhës bizantine kishës i është shtuar muri i narteksit dhe këmbanorja, e cila është lidhur organisht me murin e narteksit.

Më vonë kisha pëson një meremetim tjetër, ku vihet re përdorimi i teknikës së kluasonazhit. Rindërtim tjetër i rëndësishëm është ai i vitit 1786, ku shtohen hajatet dhe rindërtohen çatitë me tavanet. Rindërtimi i fundit që transformoi së tepërmi arkitekturën e monumentit është në vitin 1931.

Më tipike në unikalitetin e saj kisha e Shën Kollit në Perhondi bëhet nëpërmjet këmbanores, e cila mendohet të jetë nga më të hershmet në provincat bizantine të Ballkanit.

Megjithë transformimet e shumta në shekujt e kaluar ndërhyrja e specialistëve të monumenteve bëri të mundur që monumenti të rikthehet në identitet dhe të përfaqësojë sot një nga monumentet e kultit bizantin më të spikatur në të gjithë rajonin. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.