Foto/ Ngjyrat e vjeshtës korçare në telajot e piktorëve të huaj

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ 20 piktorë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës hodhën në telajo vjeshtën e bukur të Korçës dhe rrethinave të saj.

Ekspozita e Kolonisë Ndërkombëtare të Piktorëve “Ditët e Mios” u çel mbrëmë në Korçë, ndërsa për piktorët, Korça mbetet një studio e madhe, me hapësira për t’u eksploruar, dhe vjeshtë frymëzuese.

Në kuadër të këtij aktiviteti, kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo u shpreh se “së shpejti, do të jetë gati Galeria e Arteve, projekt i cili do t’i japë një tjetër impuls zhvillimit të artit në Korçë”.

Kolonia Ndërkombëtare “Ditët e Mios” nisi rrugëtimin në 25 tetor, për të 11-tin vit radhazi në Korçë.

Këtë vit morën pjesë 20 piktorë nga Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Greqia, Turqia dhe Polonia.

Boboshtica, Drenova, Vithkuqi, Voskopoja e Dardha janë fshatrat turistikë ku janë ndalur piktorët, ndërsa nuk mungojnë telajot edhe nga Pazari i Vjetër dhe karakteristik i Korçës.

Aktiviteti synon vendosjen e urave të komunikimit mes artistëve, si dhe promovimin e vlerave të qytetit. /j.p/

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.