Maturantja ekselente që zgjodhi misionin e mësueses

Maturantja ekselente që zgjodhi misionin e mësueses

Maturantja ekselente që zgjodhi misionin e mësueseshttps://ata.gov.al/2018/10/28/maturantja-ekselente-qe-zgjodhi-misionin-e-mesueses/Ersilda Metaj, aktualisht studente e vitit të parë për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, ka qenë një nga nxënëset me rezultate të shkëlqyera në gjimnazin “Myslym Keta” . Ajo tregoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare arsyet pse zgjodhi të bëhej mësuese në të ardhmen, përsa kohë që kishte mundësi të fitonte çdo program tjetër studimi të mundshëm.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E diel, 28 Tetor 2018

TIRANË, 28 tetor/ATSH-Z.Tosku/-Për nxënësen me rezultate të shkëlqyera në mësime, në një nga gjimnazet e Tiranës, Ersilda Metaj, mësuesia nuk ishte një nga ëndrrat e saj, por u kthye në të tillë në momentin që disa praktikantë që vinin në gjimnazin e saj për të kryer stazhin, nuk kishin përgatitjen e nevojshme.

Ersilda Metaj, aktualisht studente e vitit të parë për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, ka qenë një nga nxënëset me rezultate të shkëlqyera në gjimnazin “Myslym Keta” .

Ajo tregoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare arsyet pse zgjodhi të bëhej mësuese në të ardhmen, përsa kohë që kishte mundësi të fitonte çdo program tjetër studimi të mundshëm.

“Mësuesia nuk ishte ëndrra ime por shtysën kryesore ma dha mësuesi i matematikës, për arsye se niveli i mësuesve këto vite kishte rënë goxha dhe cilësia e mësuesve nuk ishte aty ku duhej. Vendimtare u bë momenti kur pashë cilësinë që kishin praktikantet të cilat erdhën në shkollën tonë dhe e gjeja veten disa herë duke i korrigjuar. Aty kuptova që duhet të bëhesha një mësuese me qëllim që brezi i ardhshëm të mos lihej në dorën e tyre”, -u shpreh Ersilda per ATSH.

Përballë kësaj kësaj, Ersilda ndjeu një detyrim të brendshëm, për të bërë diçka për brezat që do të kalonin në bankat shkollave.

“Ndjeja një lloj detyrimi që edhe unë duhet të bëja diçka për ta ndryshuar këtë situatë dhe normalisht mund të bëhesha një ekonomiste shumë e mirë por ku do shkonin brezat pas meje, çfarë do bënin ato dhe si do shkonte e ardhmja e vendit me këto mësues që po vinin. Kam qenë gjithmonë nxënëse shumë e mirë dhe të gjithë mësuesit kanë qenë si idhull për mua. Të jesh nxënëse më të gjitha 10 do punë dhe vullnet, por në qoftë se ti do, ti mund të arrish dhe t’ia dalësh. Mendoj se rezultatet që ti merr është i kënaqshëm e të bën të ndjehesh shumë mirë për atë që ke arritur dhe për të cilën ke punuar”.

Por, përballë kësaj zgjedhje për të vazhduar mësuesinë, si reaguan prindërit dhe shoqëria e saj?

“Mami donte më shumë që të vazhdoja për mësuesi ndërsa babi në fillim kur zgjodha degën më tha pse nuk vazhdove diçka tjetër kur e kishe mundësinë, kishte mesataren por shkove për matematikë. Mendoj se shoqeve u pëlqeu si zgjedhje shoqeve të mia më të ngushta dhe më mbështeten. Në të ardhmen dua të jap matematike për ciklin e lartë, të jem një pedagoge”, shprehet ajo.

E pyetur nëse në të ardhmen aspiron të jetë pjesë e politikës, Ersilda ketë të fundit e konsideroi  një zgjedhje të mirë.

“Politika do të ishte zgjedhje e mirë, do bëja më shumë për studentët dhe do ndihmoja që arsimi në këtë vend të arrinte në shkallën më të lartë. Në familjen time nuk është që ka mësues por halla ime është mësuese dhe kushërira është mësuese e gjuhës franceze në Holandë. Ëndrra ime është që ta përfundoj sa më mirë, të përfundoj doktoraturën dhe do të doja shumë që të përfundoja specializimin në Kanada dhe të kthehesha në vendin tim për ti shërbyer brezave të tjerë”, -përfundoi studentja e vitit të parë të matematikës.

Ersilda Metaj ka përfunduar gjimnazin “Myslym Keta” me mesatare mbi 9 dhe renditet ndër maturantet në të gjithë vendin, që ka përfunduar shkollën me rezultate të arrira. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.