Kafshët e “Safari Park” kthehen në kopshtin zoologjik të Tiranës

TIRANË, 28 tetor /ATSH- I. Vata/ – “Sot është dita e operacionit të shpëtimit të kafshëve të “Safari Park”. Kafshët e “Safari Park” do të mbërrijnë në “shtëpinë” e tyre, në kopshtin zoologjik të Tiranës”, deklaron ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Ministri Kolosi pohon se “kur ju premtova  që do i shpëtonim kafshët e “Safari Park”, në Fier, e dija mirë se dita kur do t’i transportonim  në një vend të sigurt, me kushte optimale për një jetesë normale nuk do të ishte e largët”.

“Sot është dita! Operacioni për shpëtimin e kafshëve në Fier ka nisur në orët e para të mëngjesit dhe po vijon me intensitet dhe angazhim të plotë nga strukturat e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, punonjësit e Policisë, qarku Fier dhe fondacionit austriak “4 Putrat”. Faleminderit  për punën e palodhur, në rrethana jo pak të vështira! Faleminderit mediave shqiptare dhe ndërkombëtare që erdhën dhe e panë me sytë e tyre të vërtetën”, shprehet ministri.

Po ashtu, ministri Klosi thekson se “Operacioni vijon. Më në fund, kafshët e “Safari Park”  do të mbërrijnë në “shtëpinë” e tyre, në kopshtin zoologjik të Tiranës”. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.