Vetingu në politikë, Hysi: Brenda dhjetorit përgjigjja nga “Venecia”

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ – Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi sot nismën ligjore të grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për vetingun në politikë, ku në rend të ditës ishte seanca dëgjimore me përfaqësues nga shërbimet e profesioneve të lira dhe shoqatat e biznesit e të sipërmarrjes.

Deputeti i Partisë demokratike, Ervin Salianji e ka kundërshtuar këtë gjë, duke theksuar se kjo synon vonesën e vetingut në politikë.

“Per shkak të krizës nga vetingu në politikë që ka kapur mazhorancën është bërë një listë e gjatë e seancave dëgjimore. Pas biznesit do të kemi bashkimin e sindikatave etj, pasi është një hall i madh që ka kapur mazhorancën nga vetingu në politikë. Shqipëria po kalon sot një situatë të vështirë. Biznesi po kalon një situatë të vështirë”, – tha Salianji.

Ne, theksoi Salianji, “kërkojmë kontrollin e politikanëve, integritetin e tyre dhe verifikimin e pasurive. Këto nuk besoj se nuk ka qytetar që nuk i do”.

“Sot situata është kaotike, si pasojë e përfshirjes së personave të lidhur me krimin në qeverisje. Koncesionet, PPP-të, i jepen vetëm një pjese të biznesit duke nxjerrë jashtë një pjesë të madhe të biznesit. Të bëjmë kontrollin me paketën antimafia të çdo biznesi. Prandaj kërkoj dhe nga ju që të mos bëjmë teatër”, – tha Salianji.

Ndërsa deputetja e PS, Vasilika Hysi u shpreh se, “Komisioni i Venecias, ku është dërguar për mendim kjo nismë e opozitës, ka kthyer përgjigje që do ta shqyrtojë brenda muajit dhjetor. Dhe e gjithë kjo periudhë do të përdoret për të bërë diskutimin publik për të kursyer kohë”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.