Soreca: BE në krah të Shqipërisë, projekti IPARD lajm i shkëlqyer për bujqësinë

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ – Programi i ri IPARD prej 94 milionë euro është një mbështetje e madhe për bujqësinë shqiptare.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca është shprehur se ky është momenti më i mirë që fermerët shqiptarë të realizojnë qëllimet dhe ëndrrat e tyre.

“Implementimi i projektit IPARD për bujqësinë është një arritje e madhe për Shqipërinë, një lajm i shkëlqyer për zhvillimin bujqësor të vendit, – tha ambasadori Soreca, i cili shtoi se, – janë 94 milionë euro për investime në bujqësi”.

“Kjo, – shtoi ai, – vjen si pasojë e përpjekjeve të shumë njerëzve. Por me përpjekje të mëdha vijnë përgjegjësi të mëdha. Sot është fillimi dhe dua të nënvizoj diçka që të jeni shumë proaktivë dhe të kapni mundësitë që vijnë nga fondet e IPARD. Nëse keni ide, ëndrra për bizneset tuaja tani është momenti. Nëse doni të zmadhoni fermat apo të diversifikoni prodhimin, ky është momenti. Të krijoni vende pune të reja. Bujqësia përfshin 50% të të punësuarve. 20 % e GDP-së së vendit vjen nga bujqësia. Kjo tregon rëndësinë e sektorit”.

“Komisioni Europian dhe Bashkimi Europian në Tiranë është në krahun tuaj për të ndihmuar në implementimin e programit. Jemi krenarë që mbështesim Shqipërinë në rrugën drejt zhvillimit dhe BE”, – tha ambasadori Soreca.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.