Ruçi, takim me kryetaren e Komitetit Amerikano-Hebraik

TIRANë, 26 tetor /ATSH/ – Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti kryetaren e Komitetit Amerikano-Hebraik, Avital Leibovich, e cila po zhvillon një udhëtim në Shqipëri e Kosovë, për të forcuar lidhjet e Komitetit Amerikano-Hebraik me shqiptarët.

Kryetari i Kuvendit Ruçi vlerësoi punën e Komitetit Amerikano-Hebraik, i cili prej vitit 1906, punon me ligjvënësit, qeveritë, shoqërinë civile dhe mediet, për të mbështetur kauzat e hebrenjve dhe të shtetit të Izraelit si edhe mirëkuptimin ndërfetar, të drejtat e njeriut, politikat e emigracionit dhe veprimtaritë humanitare në rajone të ndryshme të botës.

“Dëshiroj t’ju ftoj që me Shqipërinë mund të bashkëpunoni për aktivitete promocionale që lidhen me tolerancën fetare, artin, kulturën, gazetarinë dhe shoqërinë civile. Sepse Shqipëria ofron jo vetëm një model të tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës fetare, por edhe të mbështetjes dhe mbrojtjes së Hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ne duhet të shfrytëzojmë bazën e shëndoshë të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe hebrenjve për të inkurajuar tolerancën në rajon dhe në planet”.

Kryetari i Kuvendit shprehu besimin se vizita e afërt e Kryeministrit të Izraelit, Netanjahu, e para e këtij niveli, do të kontribuojë në intensifikimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve. Këto marrëdhënie pritet të njohin nivele të reja në fushën politike, ekonomike, tregtare, të investimeve si edhe bashkëpunimin në kuadrin shumëpalësh. Aktualisht, në tregun shqiptar operojnë 36 kompani izraelite në profile të ndryshme dhe në të ardhmen pritet një shumëfishim i tyre.

Kryetari i Kuvendit kërkoi mbështetjen e Izraelit për kandidaturën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit për vitet 2022-2023.

Kryetarja e Komitetit Amerikano-Hebraik, Avital Leibovich, falënderoi kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për vlerësimin e lartë të bashkëpunimit dypalësh. Ajo shprehu mirënjohjen e shtetit dhe popullit të Izraelit për mbështetjen e popullit shqiptar ndaj hebrenjve si edhe për  mbajtjen gjallë dhe forcimit të ndjenjave të miqësisë midis të dy popujve. Ajo premtoi se Komiteti Amerikano-Hebraik do të kontribuojë edhe më shumë në mbështetjen e bashkëpunimit dypalësh politik, ekonomik, tregtar dhe të investimeve, fuqizimin e Diasporës shqiptare në ShBA dhe të ndikimit të saj në institucionet e qeverisë amerikane, si edhe mbështetjen e Shqipërisë në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare. /o.l/.j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.