Personat me precedentë penalë larg përfitimeve nga shteti, qeveria plotëson katër ligje

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme miratoi ndryshimet në katër ligje, për të zbatuar vendimin e marrë për përjashtimin e personave me precedentë penalë nga kontratat publike, nga investimet strategjike, nga lehtësitë në fushën e turizmit dhe nga ndihma shtetërore. Kështu, qeveria miratoi sot ndryshimin e projektligjit “Për prokurimin publik”, duke saktësuar se: “Autoriteti kontraktor skualifikon nga procedura e përzgjedhjes së fituesve të kontratave publike çdo operator ekonomik, kur ka të dhëna se është ose ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, për ndonjë nga veprat penale të mëposhtme:

  1. a) pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë e armatosur, organizatë terroriste;
  2. b) korrupsion;
  3. c) mashtrim;

ç) Pastrim parash ose financim i terrorizmit:

  1. d) vepra me qëllime terroriste ose vepra penale të lidhura me veprimtari terroriste, ose nxitje, ose ndihmë ose mbështetje për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste;
  2. e) organizim, drejtim ose financim i veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve;
  3. f) falsifikim;
  4. g) puna e fëmijëve dhe forma të tjera të trafikimit të qenieve njerëzore.

Detyrimi për të skualifikuar një operator ekonomik, zbatohet edhe kur personi i dënuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë është anëtar i një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës i atij, aksionar ose ortak, operator ekonomik, ose ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje ose kontrolluese brenda tij”.

Një ndryshim tjetër ligjor është edhe përfshirja në ligj e kërkesës që operatori ekonomik duhet të paraqesë si dokumentacion edhe vërtetim nga dosja gjyqësore ose një dokument, të lëshuar nga një autoritet kompetent.

Të njëjtat ndryshime kanë pësuar edhe projektligjet për “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, ai “Për turizmin” dhe “Për ndihmën shtetërore”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.