“Forca e Ligjit”, 16 milionë euro asete kriminale të sekuestruara

TIRANË, 26 tetor /ATSH- I. Vata/ – “Nuk pres që opozita të na falenderojë për punën e Policisë së Shtetit”, tha sot zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, duke shtuar se “janë 20 grupe kriminale në hetim penal, 16 milionë euro të sekuestrua nga asetet kriminale dhe faktet flasin vetë”.

Në një debat televiziv ku përballë kishte edhe deputetin e PD-së, Enkelejd Alibeaj, ai shtoi se “në këtë moment që flasim në Prokurori ka hetime penale për 20 grupe të strukturuara kriminale”.

“Vite më parë kemi kemi dëgjuar nga lideri i opozitës që ka kaq banda në fusha të ndryshme kriminale dhe asnjëherë numrat nuk shkonim mbi tre. Tani kemi 150 të arrestuar më shumë që do të thotë, drejtues, anëtarë, bashkëpunëtorë të grupeve kriminale. Kemi sasi të mëdha heroine, kokaine të sekuestruara që do të thotë produkt i çuar dëm për shkak të ndërhyrjes policore, do të thotë dobësim të pushtetit ekonomik të grupeve kriminale”, – tha ai.

Duke argumentuar me shifra, Lamallari tha se janë goditur asetet kriminale dhe grupet e strukturuara kriminale duke u dobësuar ekonomikisht.

“Në vitin 2013 vlera e aseteve ishte 1,2 milionë euro, por sot janë 16 milionë euro, pa operacionet e fundit. Gjatë vitit rezultatet do jenë edhe më të larta”, – tha ai.

Më tej, ai shtoi se “duke gjykuar mbi shifrat dhe të dhënat kupton se përtej diskursit politik, faktet janë aty, flasin vetë. Do të thotë se ka një vullnet serioz të Policisë së Shtetit në zbatimin e ligjit”.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.