Berat/ Përurohet libri “Këngë ruse” nga Miltiadh Bode

TIRANË, 26 tetor /ATSH/  Në mjediset e bibliotekës “Vexhi Buharaja” u zhvillua sot promovimi i librit “Këngë ruse”, përkthyer nga Miltiadh Bode. Në këtë aktivitet kulturor ishin të pranishëm ambasadori rus, Aleksandër Karpushin, prefekti i Beratit, Harilla Dafa, kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, kryetari i Shoqatës Shqipëri – Rusi, Avni Xhelili, studiues dhe përkthyes të letërsisë ruse, mësues, si dhe nxënës të shkollave.

Gjatë prezantimit pjesëmarrësit u njohën me punën voluminoze të autorit, i cili për më shumë se tre vjet ka hulumtuar dhe mbledhur me shumë kujdes këngët më të bukura të yjeve të muzikës ruse. Përmbledhja e librit “Këngë Ruse” është një botim shumë i veçantë, në të cilin Bode ka përzgjedhur 796 këngë popullore dhe moderne ruse, të shkruara rusisht dhe shqip.
Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, tha se letërsia dhe artet janë ato që afrojnë popujt dhe kombet me njëri-tjetrin, janë vargjet e poezive, janë këngët ato që përcjellin ndjesi dhe emocione të forta, pozitive, janë ato që krijojnë gjendje paqeje, qetësie, që krijojnë imazhe dhe përfytyrime për një të ardhme më të mirë, pa komplekse, duke ndërtuar kështu ura të bashkëpunimit reciprok midis njerëzve.

Ndërsa ambasadori Karpushin, nënvizoi se prej vitesh shumë përkthyes kanë kontribuar në letërsinë ruse, po kurrë në përkthimin e këngëve ruse. Ai pohoi se kultura dhe dashuria e përbashkët e shqiptarëve dhe rusëve për artin, muzikën dhe letërsinë, shërben si një themel shumë i fortë për të konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet dypalëshe në fushën e artit, kulturës, arsimit, shkencës, ekonomisë dhe tregtisë.

Për kontributin e çmuar që ka dhënë në njohjen e artit dhe muzikës ruse, si një element mjaft i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri – Rusi, ambasadori rus i dhuroi profesor Miltiadh Bodes medalje dhe diplomë në emër të popullit rus.

/m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.