Berat, Ema Andrea dhe Rajmonda Bulku me histori vajzash të trafikuara

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ – Në kuadër të muajit kundër trafikimit të qenieve njerëzore, bashkia e Beratit, Ambasada e Vendeve të Ulëta në Tiranë në bashkëpunim me Qendrën “Tirana – Art” sollën në një aktivite të veçantë, histori të vajzave të trafikuara të performuara nga aktoret Ema Andrea dhe Rajmonda Bulku, të cilat përcollën emocione mjaft të forta për të pranishmit.

Aktiviteti me temë “Handle with care” u ideua nga Jimini Hignett & Patricia Kaersenhout, me synim rritjen e ndërgjegjësimin të shoqërisë kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Takimi bëri bashkë Prefektin e Qarkut të Beratit, Harilla Dafa, drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë së Beratit, Artjon Duka, nënkryetarja e bashkisë, Afize Skëndo si dhe përfaqësues nga institucionet vendore, mësues, psikologë, nxënës të shkollave, qytetarë etj. Ky takim moderohej nga drejtuesja e organizatës “Tirana – Art” Jona Dividi, e cila shpjegoi qëllimin e organizmit të këtij aktiviteti dhe mesazhet që përcillen për një shoqëri më të ndjeshme kundrejt çdo fenomeni negativ.

Nënkryetarja e bashkisë, Skëndo shprehu mbështetjen e saj dhe të institucionit që ajo përfaqëson për të përkrahur, mbështetur çdo grua apo vajzë të shfrytëzuar, në mënyrë që edhe ato të kenë mundësi të rehabilitohen dhe të riintegrohen me pjesën tjetër të shoqërisë. Nga ana e tij, Prefekti theksoi se ndërgjegjësimi i shoqërisë ndaj këtyre fenomeneve duhet nisur me fëmijët, ku këta të fundit të mund të edukohen dhe formohen, në mënyrë që të vetëdijësohen për rrezikun dhe pasojat që sjell ky fenomen.

Drejtori i Policisë së Beratit, Artjon Duka shprehu mbështetjen e pakushtëzuar të Policisë së Shtetit për të luftuar pa kompromis fenomenin e trafikimit të qenieve njerëzore. Në fund të këtij aktiviteti, pjesëmarrësit vizituan ekspozitën e veçantë me pikturat e bëra nga vetë viktimat e trafikimit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.