AKU kontrolle në pikat doganore, bllokon 70 tonë produkte të pasigurta

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka në vëmendje të shtuar, kontrollet në pikat doganore me qëllim sigurinë ushqimore të produkteve që importohen nga shtetet e tjerë drejt vendit tonë.

Për periudhën 1-25 tetor në rang vendi janë kryer 4011 kontrolle në të gjitha pikat doganore të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe janë konstatuar dhe bllokuar 70 tonë produkte ushqimore të pasigurta për tregun shqiptar. Trupa inspektuese e AKU-së ka kryer procedurat për kthim në origjinë të këtyre produkteve.

Konkretisht, në pikën doganore, Durrës janë bllokuar 45 tonë oriz me vend origjinë, Spanjë. Ngarkesa në fjalë nuk shoqërohej me certifikatë fitosanitare, gjë që bie në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Ndërkohë, në pikën doganore, Qafë-Thanë është bllokuar një sasi prej 18 tonë domate me vendorigjinë Lituaninë, pasi u konstatua prezencë myku dhe të kalbura, pra të papërshtatshme për konsum.

Ndërsa në pikën doganore, Hani i Hotit janë bllokuar: 2,2 tonë birrë, origjina nga Çekia dhe 4,8 tonë produkte ushqimore si, kripë, salcë djathi, patatina, kokoshka dhe çokollatë me vendorigjinë Hungarinë. Këto dy ngarkesa ishin afër afatit të skadencës, pra nuk lejohen të futen për konsumin vendas.

AKU thekson se do të jetë gjithmonë në mbështetje të konsumatorit me qëllim garantimin e Sigurisë Ushqimore. Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

. /o.l/./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.