Trajnime dhe punësim për të papunët nga mbyllja e lojërave të fatit

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ – Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj u shpreh sot në Kuvend se, qeveria ka gati programet e trajnimeve specifike për personat që dalin të papunë nga mbyllja e lojërave të fatit më 31 dhjetor 2018.

“Ka tre elementë ku dua të ndalem. Jemi duke përgatitur me shërbimin e punësimit një platformë trajnimi për 63 mijë punëkërkuesve të regjistruar. Programi tjetër i trajnimit, ai profesional, do të trajnojmë 20 mijë punë kërkues dhe brenda këtij grupi ka qytetarë që kanë mundësi të punësohen qoftë në industri apo sektorë që kanë lidhje me shërbimet apo grafik dizajn”, – tha Ahmetaj.

Ministri theksoi se, mbyllja e lojërave të fatit, kazinove elektronike, sallave të basteve sportive dhe basteve online, do jetë një çlirim i madh social.

“Asnjë qytetari nuk do t’i mungojnë ato pika që janë kthyer në gangrenë familjare, – tha më tej Ahmetaj, ndërsa theksoi se, – nga 1 janari paratë e shpenzuara në këtë sektor do shkojnë në konsum dhe do konsumohen për arsim, apo trajnim, argëtim etj”. /e.xh//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.