Ndalimi i pijeve energjike për të miturit, Braçe: Ligji mbron interesin publik

TIRANË, 25 tetor /ATSH- I. Vata/ – Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe deputeti i PS-së, Erjon Braçe tha se nisma ligjore për mbrojtjen e fëmijëve nga pijet energjike dhe ato me sheqer të shtuar është nismë e thjeshtë dhe e qartë, që përcjell dhe sanksionon me ligj vëmendjen ndaj interesit publik, veçanërisht interesin për fëmijët deri në moshën 18 vjeç.

Po ashtu, Braçe tha ndryshimi synon mbrojtjen e të miturve nga konsumi i pijeve energjike, apo me gaz të shtuar, të cilat sjellin në organizmin e fëmijëve dëme të mëdha sa alkooli. “Kombinimi në koktejle midis alkoolit dhe pijeve energjike, shkakton një dëm akoma më të madh në shëndetin e fëmijëve”, – tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë, nismëtar i ndryshimeve ligjore që miratohen sot në Kuvend.

Braçe renditi rreziqet për moshat e reja nga përdorimi i pijeve energjike, si arrest kardiak, dhimbje koke, migrenë, rritje të ankthit dhe një sërë problematikash të tjera.

“Këto rreziqe më kanë shtyrë të kërkoj mbështetjen e kolegëve deputetë për të vendosur kufizime të qarta për konsumin e pijeve energjike për fëmijët deri në moshën 18 vjeç. Kësaj radhe pa asnjë lloj mëdyshjeje, kemi vendosur kufizime me ligj dhe ndëshkim për personat madhorë që u ofrojnë të miturve pije energjike. Kufizimet vijojnë për të gjithë ata që i tregtojnë këto produkte brenda klubeve të natës, veçanërisht kur i shoqërojnë me koktejle. Po ashtu kufizimet janë të forta edhe për reklamat e këtyre kompanive”, – tha ai.

Me këtë ligj, shton Braçe, hedhim një hap përpara në mbrojtje të fëmijëve nga produkte që dëmtojnë rëndë shëndetin. Po ashtu me këtë ligj mbrojmë ekonominë familjare, duke kursyer buxhetin familjar, por në anën tjetër ndihmojmë ekonominë e buxhetit të shtetit.

“Nisma është tërësore, duke sjellë një shërbim të shtuar jo vetëm në interes publik, por shërbim të shtuar edhe për fëmijët dhe familjet”, – theksoi Braçe. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.