Meta: Partneriteti amerikano-gjerman vendimtar për të ardhmen e rajonit

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi Qendrën Europiane “Xhorxh Marshall” në Garmish të Gjermanisë, si i Ftuar Nderi për të folur mbi çështjet e sigurisë dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Meta vlerësoi qendrën “Xhorxh Marshall”, si simbol të partneritetit strategjik amerikano-gjerman, e cila ka mirëpritur dhe ka specializuar më shumë se 800 pjesëmarrës nga Shqipëria që nga viti 1993 e deri më sot.

Kreu i Shtetit theksoi se zgjerimi i NATO-s dhe kompaktësia e Bashkimit Europian kundrejt rajonit të Ballkanit Perëndimor mbeten pika kyçe për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë.

“Dua t’ia nis duke pohuar se në fillim të viteve ’90-të vendi im ishte shumë me fat që në pragun e tij gjeti modelet më të mira të arkitekturës së sigurisë në historinë e njerëzimit: NATO-n dhe Bashkimi Europian. Për rajonin e Ballkanit ato kanë provuar të jenë të dobishme në të dyja periudha, në kohë lufte e në paqe gjithashtu. Dua të theksoj faktin se ndërhyrja e NATO-s dhe veçanërisht ajo e SHBA-së, si dhe përfshirja e Bashkimit Europian në një mënyrë vendimtare, e shpëtuan Ballkanin nga shndërrimi i tij në Lindjen e Mesme të Europës”, – theksoi Meta.

Sipas Presidentit Meta, “Ballkani mbetet një punë e papërfunduar, SHBA-të dhe BE-ja duhet të mbyllin me sukses investimin e tyre të përbashkët, më historikun dhe më angazhuesin që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë”.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.