Vetingu, u shkarkua 3 muaj më parë, KPA konfirmon vendimin për Altina Xhoxhajn

TIRANË, 24 tetor /ATSH- I. Vata/ – Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot unanimisht  lënien në fuqi të vendimin të shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për gjyqtaren e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kryesuar nga Ina Rama, relator Ardian Hajdari dhe anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci, Natasha Mulaj, shqyrtoi në dhomë këshillimi, çështjen që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Altina Xhoxhaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit, trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi unanimisht lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Altina Xhoxhaj.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të publikojë vendimin e plotë të arsyetuar brenda 30 ditëve nga shpallja e tij​.

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj nuk arriti të kalojë Vetingun, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e saj nga detyra pasi ajo nuk justifikonte pasurinë.

Vendimi u mor më 3 maj 2018 dhe u ankimua nga Xhoxhaj, por edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur shkarkimin nga detyra të anëtares së Gjykatës Kushtetuese.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.