QNOD, rol kyç për monitorimin e hapësirës detare

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ – Monitorimi i hapësirës detare, manaxhimi dhe kontrolli i kufijve, si dhe sigurimi i jetës në det janë disa nga çështjet kryesore të misionit të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD), e cila u vizitua nga deputetët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare.

Në këtë vizitë informuese ata u pritën nga drejtori i qendrës, Zyber Dushku, i cili bëri një prezantim të shkurtër mbi punën e QNOD-së, misionin, përgjegjësitë, strukturën dhe institucionet me të cilat kjo qendër bashkëpunon.

Ai u shpreh se QNOD është një institucion ndërdikasterial që ka për detyrë të sigurojë vëzhgimin e hapësirës detare shqiptare, për të realizuar organizimin, planëzimin, bashkërendimin dhe drejtimin e operacioneve në det në përputhje me legjislacionin detar kombëtar dhe ndërkombëtar.

Më tej Dushku theksoi se misioni i Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) është bashkëpunimi dhe koordinimi i të gjithë institucioneve përgjegjëse që kanë interesa në det, me qëllim monitorimin e hapësirës detare, menaxhimin dhe kontrollin e kufijve, sigurimin e jetës në det, mbrojtjes së mjedisit nëpërmjet organizimit, planëzimin, koordinimit dhe drejtimit të të gjitha operacioneve detare, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar, nëpërmjet përdorimit të kapaciteteve operacionale në mënyrë të integruar, me efektivitet dhe me kosto të ulët.

QNOD është institucion kombëtar që garanton ushtrimin e sovranitetit dhe të drejtave sovrane të shtetit shqiptar në hapësirën detare nëpërmjet menaxhimit të integruar të burimeve kombëtare të institucioneve që kanë përgjegjësi dhe interesa në det. Të gjitha institucionet, pjesëmarrëse në QNOD, deklarojnë asetet dhe kapacitetet e tyre operacionale në dispozicion të QNOD-së.

Pas prezantimit, kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj u kërkoi të pranishmëve në takim që të parashtrojnë nevojat dhe problematikat që kanë si staf pune, në mënyrë që kur të diskutohet projektbuxheti për vitin 2019 të zhvillohen dëgjesa me institucionet përgjegjëse në mënyrë që këto problematika dhe nevoja të adresohen drejtë.
Midis të pranishmëve pati diskutime dhe pyetje të ndryshme për të kuptuar më shumë rreth punës se QNOD-së.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.