Ndriçim për 30 familje të një rruge në kryeqytet, pas ankesës në platformë

Ndriçim për 30 familje të një rruge në kryeqytet, pas ankesës në platformë

Ndriçim për 30 familje të një rruge në kryeqytet, pas ankesës në platformëhttps://ata.gov.al/2018/10/24/ndricim-per-30-familje-te-nje-rruge-ne-kryeqytet-pas-ankeses-ne-platforme/Në një lagje në kryeqytet ku banojnë 30 familje u bë i mundur ndriçimi i rrugës, pas ankesës së tyre në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”. Pas ankesës, brenda 10 ditësh, strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme Nr.2 të Punëtorëve të Qytetit (DPN2) në Bashkinë Tiranë konstatuan problematikën në terren dhe realizuan ndriçimin e rrugës.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E mërkurë, 24 Tetor 2018

TIRANË, 24 tetor/ATSH/- Në një lagje në kryeqytet ku banojnë 30 familje u bë i mundur ndriçimi i rrugës, pas ankesës së tyre në platformën e bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”.

Pas ankesës, brenda 10 ditësh, strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme Nr. 2 të Punëtorëve të Qytetit (DPN2) në bashkinë Tiranë konstatuan problematikën në terren dhe realizuan ndriçimin e rrugës.

Në takimin e zhvilluar sot me koordinatorët e bashkëqeverisjes, në Kryeministri, qytetari i kësaj lagjeje, Helidon Fasho, falënderoi portalin për zgjidhjen e një problemi të rëndësishëm dhe jetik për komunitetin. “Kishte disa kohë që kërkonim për zgjidhjen e këtij problemi, për ndriçimin e rrugës së lagjes “Enver Fico”, në Fushën e Aviacionit në Njësinë numër 7″, – tha ai.

Sipas tij, portali është i besueshëm, pasi problemi mori zgjidhje brenda kohës së duhur.

Kryeministri Edi Rama theksoi se “arsyeja pse e bëjmë takimin çdo të mërkurë është që të vazhdojmë informimin dhe arsyeja pse ju mundojmë dhe ju që pasi merrni një zgjidhje ju ftojmë që të vini, është pikërisht që njerëzit mos ta dëgjojnë këtë nga unë apo koordinatorët, por nga vetë ata që janë njësoj si të tjerët në raport me vështirësitë për të zgjidhur problemin”.

“Për hir të së vërtetës më vjen mirë që është zgjidhur ky problem, kemi vështirësi specifike me pushtetin vendor, për fat të keq me një sërë bashkish ka një refuzim për të marrë ankesat. Kampione është bashkia e Shkodrës që refuzon çdo lloj bashkëpunimi. Bashkitë e tjera po ashtu, por ne vazhdojmë përpiqemi edhe për bashkitë. Më vjen shumë keq në rastet kur koordinatorët detyrohen të dorëzohen, sepse njësitë vendore në disa raste janë komplet indiferente dhe e konsiderojnë platformën si instrument të palës kundërshtare”.

Ndërkohë, vijoi ai, që ne mund ta themi me krenari se ne nuk kërkojmë as fenë, as partinë, as ide të ndryshme, ato janë pronësi intelektuale e gjithsecilit.

Kryeministri u shpreh se “ne trajtojmë në mënyrë të barabartë gjithë qytetarët e Republikës, qofshin të majtë e të djathtë, të rinj apo të moshuar, qytetarë nga qyteti, qytetarë nga fshati, të pasur apo të varfër, familjarë me shumë fëmijë, apo të vetmuar, ne i trajtojmë të gjithë njësoj në këtë platformë, duke respektuar të drejtën e tyre themelore kushtuese për të qenë qytetarë të barabartë”.

“Por, për fat të keq, hera-herës ngecim në pengesat artificiale që krijohen nga paragjykimet politike të një kryetari bashkie apo të njësie vendore”, – tha Rama./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.