KOMENT – Nazizmi dhe nacionalsocializmi provokojnë debat në PE

STRASBURG, 24 tetor /ATSH-ANSA/ – Nazizmi, socializmi, nacionalsocializmi dhe historia e paradokohshme e Europës ishin temat që nxitën debatin në sesionin e sotëm plenar të Parlamentit Europian, pas deklaratave të deputetit konservator britanik, Syed Kamall dhe të reformistëve që thanë se socializmi nazist ishte pjellë e ideologjisë socialiste.

“Kur flisni për ekstremistët e krahut të djathtë, mbani mend se nazistët ishin socialnacionalistë dhe ishin një shprehje e së majtës”, tha Kamall duke iu drejtuar Udo Bullmann si drejtues i socialdemokratëve.

“Unë dënoj me vendosmëri atë që u tha nga Kamall, ishin socialdemokratët që kundërshtuan fashizmin”, deklaroi Bullmann.

Tension në PE pati edhe mes presidentit, Antonio Tajani, i cili bëri të heshtte deputetin britanik, Nigel Farage, i cili diskutoi për çështjen europiane, nazizmin dhe socializmin nacionalist.

“Unë nuk mendoj se në këtë sallë ka nostalgjikë ose trashëgimtarë të nazizmit dhe të diktaturës komuniste sovjetike, dy sisteme të tmerrshme shkatërruese që kanë shkaktuar plagë të thella në Europë”, tha Tajani, duke vënë në dukje se këto dy diktatura ishin  zhdukur falë Bashkimit Europian.

Kjo deklaratë e bëri të qeshte ironikisht deputetin britanik, Nigel Farage.

“Ka pak për të qeshur, pasi duhet të respektojmë idetë e të tjerëve”, tha Tajani duke përmendur edhe frazën e famshme latine ”risus abundat in ore stultorum” (”qeshja e pavend sinonim i budallallëkut”).

”Farage të mësojë të respektojë të tjerët, sepse kjo është demokracia. Ne e kemi respektuar gjithmonë atë dhe ju nuk keni asnjë autorizim për të mos respektuar mendimet e të tjerëve”, shtoi Tajani.

”Hesht!”, iu drejtua ai eurodeputetit Farage, ndërkohë që salla e duartrokiti, ndërsa Tajani e pa atë për rreth 20 sekonda pa ndërprerje.

Farage ka sqaruar se ”garantimin e paqes nuk e bëri Bashkimi Europian dhe se Europën nga nazizmi e çliruan amerikanë dhe britanikët, ashtu siç e dëshmon fakti i 30 mijë ushtarëve britanikë të vrarë në Itali”./ /os/  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.