Janar-shtator, 26 mijë e 345 të punësuar vetëm nga zyrat e Punës   

PERGJIGJA IME

Posted by Edi Rama on E mërkurë, 24 Tetor 2018

TIRANË, 24 tetor/ATSH-Maela Marini/ Nga janari deri në shtator janë 26 345 të punësuar vetëm nga Zyrat e Punës.

Në rubrikën “Përgjigja ime”, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot një komentuesi që shprehte shqetësimin për rritjen e papunësisë në Shqipëri.

“Flas për punësime sepse janë 26 345 të punësuar nga janari në shtator vetëm përmes Zyrave të Punës. Janë gra e burra, që ishin pa punë, ndërsa sot çojnë një rrogë në familje. Këta 26 345 persona janë me sigurime shoqërore e shëndetësore dhe jo në mëshirë të fatit, siç ishin deri dje. Flas për punësime, sepse mbi 1500 ndër këta që deri dje jetonin me lëmoshën e ndihmës ekonomike, tani janë të punësuar”, – tha Kryeministri.

Duke iu drejtuar komentuesit, Rama tha se “nuk shan dhe nuk ofendon ndonjëherë, madje dhe nëse e bën pa dashje në ndonjë rast, kërkon falje”.

“Ndërsa ironi po, madje sarkazëm mund ta quajmë më mirë, ashtu si ma kanë mësuar mësuesit e mi, Imzot Noli dhe Faik Beu, se s’ka rrugë tjetër kur ndeshesh me paditurinë e kthyer në argument dhe me sharjen e shpifjen të kthyer në armë komunikimi”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.