Hoxha në Strasburg: Përshpejtim liberalizimit të vizave për Kosovën

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ – Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, ka takuar në Strasburg, Igor Sholtes, Raportues për Kosovën në Parlamentin Europian, dhe Eduard Kukan, eurodeputet nga Sllovakia, kryesues i delegacionit të Parlamentit Europian për Serbi si dhe përfaqësues i Grupit të partive të djathta, PPE, për Ballkanin Perëndimor.

Siç thuhet në njoftimin për media nga Ministria e Integrimeve Hoxha diskutoi me ta dhe ka kërkuar përkrahje për liberalizimin e vizave.

“Kosova dhe qytetarët e saj, padrejtësisht është e privuar nga lëvizja e lirë, duke mbetur si i vetmi vend në rajon që nuk gëzon regjimin pa viza me vendet e zonës së Shengenit. Lëvizja e lirë do të rritë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë”, tha ministrja Hoxha.

Sipas saj Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe tani është radha e BE-së dhe shteteve anëtare që të kryejnë pjesën e vet të punës,

“Ne kemi treguar rezultate, kemi vepruar sipas udhërrëfyesit, BE-ja duhet të veprojë tani pa humbur kohë dhe të mundësojë lëvizjen e lirë për qytetaret tanë”, citon njoftimi ministren Hoxha.

Në njoftim thuhet se Sholtes ka inkurajuar punën e ministres Hoxha dhe të Kosovës në tërësi, duke theksuar se shpreson që procedurat e mbetura për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, e që janë në nivel të BE-së, do të kryhen brenda afateve.

“Shpresoj që shtetet anëtare do të ndjekin shembullin e Parlamentit Europian dhe do t’i japin dritën e gjelbër regjimit pa viza sa më shpejtë që është e mundur”, tha Hoxha.

Ndërsa Kukan ka theksuar se Ballkani Perëndimor është brenda strategjisë dhe planit të zgjerimit të Bashkimit Europian, ne do të bëjmë punën tonë për këtë proces. /KosovaPress/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.