“Forca e Ligjit”, Hodaj: Do të ketë arrestime të tjera, hetimet vazhdojnë

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ – Operacionet e zhvilluara ditët e fundit nga Policia e Shtetit, ku në pranga rranë shumë persona të lidhur me krimin e organizuar, janë operacione të zhvilluara nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese ne vend. Zëvendësministri i Brendshëm, Julajn Hodaj, gjatë një interviste televizive sqaroi aksionet e fundit të policisë dhe arrestimet e kryera prej tyre.

“Për nga njerëzit ky është një nga operacionet më të mëdha që është organizuar ndonjëherë. Kemi një operacion të shtrirë në 12 qytete, me 110 kontrolle duke vënë në pranga shumë persona. Policia ka bërë një punë të mirë, por jo gjithnjë thuhet kjo gjë. Ky ishte një operacion tipik shqiptar, ku ka më shumë se një agjenci ligjzbatuese të angazhuar në të dhe ka një operacion ku është e përfshirë Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe agjenci të tjera ligjzbatuese. Ka ndihmë të ndërkombëtarëve që bashkëpunuan. Niveli i bashkëpunimit konsiston në shkëmbimin e informacioneve, që do të thotë lokalizohen personat, sillen informacionet, bëhet dosja, grumbullohen faktet etj. Ajo që do të doja të dëgjoja më shpesh është që, t’i japin meritat që i takojnë Policisë. Ministria e Brendshme, organizoi këtë operacion duke vendosur në dispozicion mjetet e duhura”. – sqaroi Hodaj.

Sipas zv/ministrit Hodaj gjatë ditëve në vijim priten edhe arrestime të tjera të personave të përfshirë me krimin e organizuar, të cilët janë shpallur në kërkim. /e.caushi/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.