Xhaçka me homologen italiane: Rritje e bashkëpunimit në fushën e sigurisë

TIRANË, 23 tetor/ATSH- A. Fortuzi/- Italia mbetet mbështetëse kryesore e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka priti homologen e saj italiane, Elisabetta Trenta. Gjatë deklaratës së përbashkët për mediet, ministrja e Mbrojtjes Xhaçka tha se Italia është një nga aleatët më besnikë të vendit tonë dhe në këtë kuadër një nga mbështetësit kryesorë të integrimit tonë në Bashkimin Europian.

Kjo vizitë është një mundësi e mirë për të biseduar nga afër për çështje të rëndësishme në fushën e sigurisë e mbrojtjes. Italia mbetet një nga partnerët më të ngushtë, aleat historik në rrugën tonë drejt integrimit tonë në strukturat euro-atlantike, ashtu siç është në krahun tonë në rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian”, – tha ministrja Xhaçka.

Ministrja shqiptare e Mbrojtjes i ka konfirmuar homologes italiane vullnetin e plotë për të vijuar me ritmin që kërkohet përfaqësimin në operacionet, misionet dhe iniciativat në kuadër të NATO-s.

“Vetëm këtë vit kemi dyfishuar trupat tona ushtarake pjesëmarrëse në Resolute Support Mission në Afganistan. Anijet tona ushtarake punojnë fort përditë për të shpëtuar jetë të pafajshme njerëzish në detin Egje. Kontigjenti ynë çminues (EOD) në kuadër të forcës së përparuar të NATO-s vijon të marrë vlerësime maksimale për kontributin e tij në sigurimin e territorit dhe qytetarëve aleatë në Letoni. Diskutuam se prezenca e ushtarakëve tanë në KFOR Kosovë janë shembull korrektësie dhe bashkëpunimi, reflektim i qartë i dëshirës tonë për paqe, stabilitet, bashkëpunim dhe bashkëjetesë në rajon. Shqipëria dhe shqiptarët do të vijojnë të jenë faktorë stabiliteti dhe promotorë të politikave integruese për vendet e Ballkanit. Vitin që vjen Shqipëria do të ketë kryesimin e disa iniciativave rajonale, siç janë iniciativa SHBA – Karta e Adriatikut (A5) dhe Iniciativa e Ministerialit të Mbrojtjes së Evropës Juglindore”, – tha Xhaçka.

Vendi ynë në kuadër të kontributit në NATO ka dyfishuar trupën ushtarake në Afganistan, si dhe ka marrë pjesë në disa operacione të përbashkëta për shpëtimin e emigrantëve në detin Egje. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.