Spitali i ri i kirurgjisë, 7 salla operacioni dhe 120 shtretër

TIRANË, 23 tetor/ATSH/- Spitali i ri kirurgjisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, do të ketë 7 salla operacioni dhe një kapacitet prej 120 shtretërish.

Kështu theksoi sot ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë përurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e spitalit të sëmundjeve të brendshme dhe kirurgjisë në Tiranë.

“Një tjetër kantier në punë e sipër është spitali i Kirurgjisë në dy katet e spitalit aktual të urgjencës. Në vetëm 9 muaj nga sot do të kemi një spital të ri kirurgjie me 7 salla operacioni, të krahasueshëm me çdo spital tjetër modern europian”, – nënvizoi Manastirliu.

Sipas saj, ky spital do të ketë kapacitet prej 120 shtretër në dispozicion të shërbimeve kirurgjikale, të urologjisë, të kirurgjisë dixhestive, të kirurgjisë së përgjithshme duke përfshirë edhe pajisjen me laboratorë të integruar të anatomisë patologjike për ekzaminimin ekstempora dhe aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë.

Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se “me shërbimin e integruar të sterilizimit dhe instrumenteve të reja kirurgjikale, tashmë të shtrirë në të gjithë vendin, me ndërtimin e këtij spitali të ri, shërbimi i kirurgjisë në QSUT do të ofrohet me një standard më të lartë nga sa ofrohet sot”. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.