TIRANE, 23 tetor /ATSH/ – Për kompaninë shqiptare të eksportit “Arbana Bio Cooperative” këto janë kohë plot aktivitet. Si specat, ashtu edhe domatet e tyre janë të stinës, për herë të dytë këtë vit, shkruan freshplaza.com.
“Vendi nuk është marrë aq seriozisht kur bëhet fjalë për prodhimet vendase, por menaxheri i kompanisë Labinot Sahiti pohon se imazhi po ndryshon shpejt”.
“Arbana Bio” kultivon shumë fruta dhe perime, por aktualisht domatet dhe specat janë të stinës.
Një kohë e zënë me aktivitet, sipas menaxherit Labinot Sahiti: “Ky është viti i parë kur shohim një rritje të madhe të kërkesave dhe të porosive. Dhjetë vjet më parë askush nuk kishte dëgjuar për kultivimin e zarzavateve në Shqipëri. Më shumë se një dekadë më vonë, pasi kemi ftuar klientë potencialë për të parë dhe shijuar prodhimet tona, ata kanë rënë dakord se Shqipëria është një treg interesant për ta. Polonia dhe Holanda kanë zbuluar më në fund potencialin tonë”.
Domatet dhe specat eksportohen kryesisht në Poloni dhe Holandë, edhe pse Italia, Republika Çeke, Rumania dhe Letonia kohët e fundit kanë treguar interes. Dhe prodhimet e stinës po ecin me të vërtetë mirë. Sipas Sahitit: “Moti ishte i mirë, gjë që rezultoi në një rritje prej 15% të prodhimit këtë vit. Kjo ndihmoi, pasi kërkesa po rritet po aq shpejt. Çmimet janë shumë më të mira, megjithëse kërkesa e rritur vështirë se do të ketë ndikim mbi to. Ne kemi kontrata për pjesën më të madhe, që do të thotë se çmimet janë të fiksuara për këtë stinë.”
Çfarë e bën Shqipërinë aq interesante për vendet e tjera? Sahiti shpjegon se ka shumë faktorë: “Së pari, kemi dy sezone, një në pranverë, e cila shkon nga marsi deri në qershor dhe një ndërsa flasim, në vjeshtë, e cila tani është në pikën më të lartë (shtator deri në dhjetor). Ky sezon filloi në 1 shtator dhe do të zgjasë deri në fund të dhjetorit. Këtë mund ta bëjmë për shkak të një klime shumë të përshtatshme. Për më tepër, ne përdorim vetëm plehrat kimike të kristalizuara dhe fara hibride në kultivimin e bimëve, të cilat janë të miratuara nga BE dhe kjo mundëson të jenë në përputhje me kërkesat fito-sanitare të BE-së për eksportin. Këtë vit ne do të mund të eksportojmë rreth 4000 tonë domate, vetëm në sezonin e vjeshtës. Do të eksportojmë edhe rreth 1600 tonë speca. Kjo do të thotë që po rritemi vazhdimisht, kështu që rajoni ynë më në fund është në hartë./p.s./ a.jor.
