PD: Mazhoranca synon monopolin e lojërave të fatit

TIRANË, 23 tetor /ATSH- I. Vata/ – “Në katër vite bixhozi u rrit me katër herë, sot mazhoranca kërkon monopolin e kazinove dhe lojërave të fatit”, – deklaroi nënkryetarja  e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku në të njëjtën kohë që komisioni i Ekonomisë miratoi projektligjin e Qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit dhe kazinove elektronike më 31 dhjetor.

Deputetja e PD-së Tabaku thotë se ata, që sipas saj, flasin kundër basteve sportive dhe kazinove “janë ata që sollën në vitin 2015 një ligj klientelist, që e ndryshuan në seancën parlamentare për të përmbushur qokat e tyre elektorale. Janë ata që përmes një aksioni fasadë “Fundi i Marrëzisë” prodhuan marrëzinë e basteve pa fund”.

“Kjo mazhorancë është ajo që votoi shtyrjen e hyrjes në fuqi të Ligjit të Lojërave të Fatit që vetë votuan dhe nën këtë qeveri u dhjetëfishuan pikat e basteve në kundërshtim me çdo normë ligjore”, – tha ajo.

Po ashtu, Tabaku shtoi se kjo mazhorancë është e fundit që i takon të flasë me Bibël dhe Kuran për lojërat e fatit.

“Faktet thërrasin fort për përfshirjen e mazhorancës në një tjetër grup të inkriminuar që sot për sot kërkon monopolin e kazinove dhe lojërave të fatit”, – tha Tabaku. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.