Palmer në Kosovë, takon krerët e shtetit

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ – Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan, Matthew Palmer, po viziton sot Kosovën, ku takoi krerë të institucioneve me të larta të Republikës.

Zyrtari i lartë i SHBA u prit në takime te ndara nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dhe nga Kryeministri Ramush Haradinaj.

“Kënaqësi si giithnjë të takoj Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, të cilin e informova për tranzicionin e FSK-së, në ngritjen e së cilës, roli i Amerikës dhe NATO-s mbetet i pazëvendësueshëm”, – deklaroi Kryeministri.

Ai vijoi se, për fazën finale të dialogut, qeveria e Kosovës është e angazhuar për krijimin e një koncepti për unitet të forcave politike dhe ka hartuar Rezolutën përkatëse.

“Sa i përket arritjes së Marrëveshjes ligjërisht obligative me Serbinë, në kuadër të takimit, theksova qëndrimin e gjithanshëm, se jemi të paluhatshëm në ruajtjen e realitetit dhe qenësisë kushtetuese të Kosovës, që është arritur falë sakrificës së popullit tonë dhe investimit afatgjatë amerikan dhe të aleatëve tanë strategjikë”, – bëri të ditur Kryeministri Haradinaj.

Në 6 prill 2018 në vizitën në Prishtinë drejtori për Çështjet e Europës Jug Qendrore, Matthew Palmer, rikonfirmoi edhe një herë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrugëtimin europian të Kosovës. Thaçi dhe Palmer vlerësuan se vetëm dialogu çon drejt stabilitetit rajonal dhe paqes afatgjate, si dhe mbetet mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve në rajonin tonë. /b.j//e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.