Menaxhimi i liqenit të Kostancës, shembull për Shqipërinë dhe vendet fqinje

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ – “Shqipëria dhe fqinjët e saj mund të huazojnë përvojën e menaxhimit të liqenit të Konstancës për ta zbatuar atë në liqenet e Shkodrës, Ohrit dhe Prespës”, – deklaroi Kryetari i Komisionit Kuvendor për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Eduard Shalsi gjatë një vizite studimore në liqenin e Kostancës, në datat 19 deri në 23 tetor për të mësuar rreth bashkëpunimit ndërkufitar të lidhur me menaxhimin e liqenit.

Delegacioni mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Liqenit të Konstancës me ftesë të Komisionit Parlamentar të Liqenit të Konstancës.

“Pjesëmarrja në Konferencën Ndërkombëtare të Liqenit të Konstancës ishte një përvojë tej mase e vlefshme”, – tha Shalsi.

“Liqeni i Konstancës menaxhohet bashkërisht dhe në mënyrë të suksesshme nga Austria, Gjermania, Zvicra dhe Lihtenshtejni. Shqipëria dhe fqinjët e saj mund ta huazojnë këtë përvojë për ta zbatuar atë në liqenet e Shkodrës, Ohrit dhe Prespës. I jam mirënjohës Prezencës së OSBE-së për mbështetjen e kësaj vizite”.

Delegacioni mësoi rreth detyrimeve të bashkëndara nga palët e përfshira, të cilat bashkëpunojnë rregullisht me njëra-tjetrën, si dhe me historitë e suksesit dhe sfidat në këtë drejtim.

Diskutimet u përqendruan në menaxhimin ndërkufitar të liqeneve, shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, rehabilitimin e hapësirave me ujë, si dhe me përfshirjen e politikëbërësve të niveleve të ndryshme në këto procese.

Delegacioni vizitoi disa struktura të mirëmbajtjes së liqenit, duke përfshirë këtu impiante për pastrimin e ujit, si dhe mori informacion të bollshëm rreth procedurave, menaxhimit, si dhe burimeve financiare e njerëzore të nevojshme për funksionimin dhe mbarëvajtjen e tyre.

Ata po ashtu morën pjesë në Konferencën e Tretë Speciale të Liqenit të organizuar nga Ministria e Mjedisit, Klimës dhe Energjisë e Landit gjerman të Baden-Vyrtenbergut, rreth përdorimit qëndrueshëm dhe rehabilitimit të liqeneve, si dhe u takuan me anëtarë të komisionit të Integruar për Menaxhimin Ndërkufitar të Liqenit të Konstancës.

Vizita u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri sipas një programi përshtatur nevojave të tyre, i cili kishte në qendër bashkëpunimin shumëpalësh mes parlamenteve dhe mekanizmave të mbikëqyrjes parlamentare.

Kjo veprimtari u organizua në kuadrin e fazës përgatitore të projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri”.

Ky projekt fillon në nëntor të këtij viti dhe mbështetet financiarisht nga qeveria zviceriane.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.