Mblidhet Këshilli Drejtues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit për Diasporën

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ – Këshilli Drejtues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit për Diasporën zhvilloi mbledhjen e parë ku u vendos emërimi i Soana Jaupllarit, si Drejtore Ekzekutive.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko pas një prezantimi të shkurtër të misionit të FSHZHD u kaloi fjalën anëtarëve të tjerë të këshillit për diskutime të mëtejshme.

Gjatë kësaj mbledhjeje të parë Këshilli gjithashtu shqyrtoi edhe rregulloren për funksionimin e “Këshillit Drejtues të FSHZHD”.

Anëtarët e këshillit pas një diskutimi propozuan disa ndryshime në statutin e këshillit dhe në rregullore.

Këto propozime do të rishqyrtohen në mbledhjen e ardhshme të Këshilli të FSHZHD, e cila do të mbahet ditën e enjte.

Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës ka për mision sigurimin dhe shpërndarjen e mjeteve financiare, në kuadrin e nxitjes së zhvillimit social-ekonomik e kulturor, bazuar në strategjinë kombëtare për diasporën, nëpërmjet promovimit, inkurajimit dhe nxitjes së prirjeve filantropike dhe investimeve në mbështetje të zhvillimit të diasporës në Republikën e Shqipërisë e jashtë saj.

Elton Haxhi, përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave është kryetar i këshillit drejtues të Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.

Ndërsa anëtarë të këshillit drejtues të këtij fondi janë Teuta Vodo, përfaqësuese nga ministria e Drejtësisë; Andris Stastoli, përfaqësues nga ministria për Europën dhe Punët e Jashtme; Besa Shahini, përfaqësuese nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; Hajrulla Çeku, përfaqësues nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit; Mimoza Hysa Çuliqi, përfaqësuese nga Ministria e Kulturës.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.