Policia e Dibrës në një javë: 22 të proceduar dhe 8 të arrestuar

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ – Policia e Dibrës ka proceduar 22 shtetas përgjatë javës që lamë pas. 8 persona janë arrestuar, 12 të tjerë po ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim.

Ndërkohë bëhet me dije se policia e Dibrës ka parandaluar një konflikt mes disa të rinjve, ku ka sekuestruar edhe një armë zjarri automatik.

Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në mënyrë të përsëritur vidhnin mineral kromi në një subjekt privat.

Efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, gjatë fundjavës u angazhua duke marrë të gjitha masat e nevojshme, gjatë 3 ditëve ku në qytetin e Peshkopisë u zhvillua festivali folklorik “Oda Dibrane”, me një pjesëmarrje të grupeve folklorike nga qytetet e Shqipërisë, e nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti u angazhuan 100 efektivë të policisë, ku nuk u shënua asnjë incident.

Gjithashtu Policia Rrugore ka shtuar kontrollet në rrugët urbane e dytësore me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, disiplinimin e drejtuesve të automjeteve, ku dhe janë vendosur 300 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Agjentët e Policisë Kriminale dhe specialistët e Policisë në zona, kanë ushtruar kontrolle në ambiente të hapura dhe të mbyllura për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, apo evidentimin dhe goditjen e veprave penale që cenojnë regjimin juridik të tokës. /o.l//a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.