“Global Banking & Finance”: Shqipëria, parajsë turistike

TIRANË, 22 tetor /ATSH – A. ALLA/ – Shqipëria si destinacion turistik europian ofron një turizëm gjithëvjetor, kjo dhe për shkak të klimës mjaft të favorshme që ka. Vendi ynë po promovohet gjithnjë e më shumë nga mediet e huaja dhe revistat tashmë jo vetëm si destinacion mjaft interesant për t’u eksploruar, por dhe me një kosto të ulët.

Revista “Global Banking & Finance” në një artikull të saj e ka renditur Shqipërinë mes vendeve si Turqia, Nepali dhe Peruja, si një ndër pesë destinacionet turistike me kosto të ulët.

Revista shkruan se kurioziteti për një vend të ri, aroma e ajrit të freskët, ushqimi i shijshëm dhe kultura rinore janë disa nga përfitimet e një udhëtimi për turistët. Këto janë përfitimet pozitive, shkruan revista, por nëse ky udhëtim sigurohet dhe me një kosto të ulët, kjo është ideale.

Një ndër këto vende është Shqipëria. “Shqipëria është një gur i çmuar i fshehur në Europë që ju ofron pamje të mrekullueshme të Alpeve mahnitëse, si dhe plazhet e pacënuara që konkurrojnë me ato të Greqisë në gjysmën e kostos. Nëse ju pëlqeni rrugët me kalldrëm qytetet arkeologjike, si Butrinti dhe Apolonia, Berati, Korça shkoni direkt në një përrallë.

Plazhet e Sarandës dhe Drimadhës mund të konkurrojnë parajsën e Rivierës franceze me një kosto më të ulët. Ujërat e pastra, pamjet frymëzuese dhe ushqimet e shijshme janë të gjitha arsyet për një ‘bravo’ për bregun shqiptar. Gjitha këto eksperienca mund t’i provosh në Shqipëri me një kosto mesatare në ditë që shkon 60 dollarë amerikan për person”, shkruan revista. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.