Agjencia Telegrafike Shqiptare

Hapet qarkullimi në segmentin e rehabilituar Vorë-Kthesa e Rinasit

-Vazhdon puna në segmentin Kthesa e Rinasit – Fushë Krujë-

TIRANË 21 tetor/ATSH/- Segmenti Vorë-Kthesa e Rinasit është hapur për qarkullim pas përfundimit të rehabilitimit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore bëjnë të ditur se ndërhyrja në shtresat asfaltike në segmentin Vorë-Kthesa e Rinasit ka përfunduar dhe është hapur për kalimin e mjeteve, me sinjalistikë dhe vijëzim provizor.

Sipas ARRSH-së dhe Policisë Rrugore segmenti tjetër Kthesa e Rinasit – Fushë Krujë është i bllokuar dhe po i nënshtrohet ndërhyrjes rehabilituese.

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë segment rrugor dhe respektimin në mënyrë rigoroze sinjalistikën provizore të vendosur dhe udhëzimet e policisë rrugore në terren.

Banorët rezidentë të zonës mund të vazhdojnë të përdorin segmentin rrugor nga kthesa e Rinasit deri në Fushë-Krujë.

Mjetet e transportit të mallrave/kamionët që udhëtojnë nga Shkodra, Lezha në segmentin Milot – Fushë Krujë në drejtim të Tiranës dhe Durrësit, duhet të ndjekin drejtimin e Kamzës dhe të vazhdojnë udhëtimin nëpërmjet Autostradës.

Siç edhe është njoftuar më parë, Dogana e Tiranës është e aksesueshme nga nga ana e Vorës. Mjetet mund të aksesojnë Doganën vetëm nëpërmjet segmentit rrugor Vorë – Dogana e Tiranës për të kryer shërbimet Doganore dhe të kthehen përsëri në drejtim të Vorës.

Rruga është e hapur gjithashtu për të gjitha automjetet që duan të kryejnë shërbimet e Kontrollit Periodik në qendrën SGS vetëm nëpërmjet drejtimit të Fushë-Krujës.

Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.

Ju kërkohet drejtuesve të mjeteve që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet si dhe udhëzimet e policisë.​/k.s//e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version