FOTO – Përmet, projekte për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor

TIRANË, 21 tetor/ATSH/- Rehabilitimi i lulishtes, si dhe urës në hyrje të Përmetit do të nxisin më tej zhvillimin e turizmit gjithëvjetor në këtë qytet.

Nënkryetari i bashkisë së Përmetit, Llazar Thanasi, tha për ATSH-në se “ky projekt është financuar përmes qeverisë shqiptare nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, me një fond prej 90 milionë lekë”.

“Deri tani janë kryer 95% e punimeve dhe pritet që së shpejti të përfundojë ky projekt, që do të bëjë të mundur rehabilitimin e lulishtes dhe urës”, theksoi Thanasi.

Sipas tij, pjesë e rehabilitimit të lulishtes është edhe ndërtimi i një këndi lojërash, që është gati në përfundim të plotë, ku fëmijët mund të kalojnë orë të këndshme argëtimi.

Nënkryetari Thanasi thekson se “një gjë e veçantë, që është kthyer kohët e fundit edhe në atraksion për qytetin e Përmetit, është një ballkon i ndërtuar afër këndit të lojërave, ku të rinjtë dhe vizitorët e të gjithë moshave e trevave nuk reshtin duke e vizituar dhe duke e fiksuar atë në fotografi”.

Po ashtu, vijon ai, ndriçimi është një risi për Përmetin , ku qendra e qytetit , pjesa e lulishtes dhe hyrja e qytetit si dhe ndarja nga rruga nacionale është e gjitha me ndriçim Led, ashtu si disa qytete të Europës.

“Lulishtja është e gjitha e ndriçuar dhe mbrëmjeve frekuentohet nga të rinjtë dhe të moshuarit, pavarësisht se shtrimi i rrugëve brenda lulishteve nuk ka përfunduar ende”, sqaron Thanasi.

Nënkryetari i bashkisë së Përmetit shton se ky projekt është vazhdim i pedonales, që ishte një projekt tjetër që rehabilitonte qendrën e qytetit të Përmetit.

Qyteti i Përmetit është i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të Vjosës, thuajse tërësisht nën kodrën e Bolëngës dhe rrëzë malit të Dhëmbelit. Kur mbërrin në Përmet, përballesh me një qytet të vogël, për nga shtrirja gjeografike, por të madh nga vlerat e shumta historike, kulturore e natyrore të tij./k.s//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.