Zvicra mbështet axhendën e reformave në Shqipëri

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ – Zvicra mbështet axhendën e reformave në Shqipëri, deklaroi ambasadori i ri i Zvicrës në Shqipëri, Adrian Maitre, i cili i paraqiti letrat kredenciale Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

“Zvicra dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe të cilat ne duam t’i ruajmë dhe t’i thellojmë”, – tha ambasadori Maitre.

“Ambasada e Zvicrës ka një komponent të rëndësishëm: një program bashkëpunimi me fokus të qartë strategjik në mbështetje të axhendës së reformave në Shqipëri”, – tha ambasadori Maitre.

Gjatë ceremonisë Presidenti vlerësoi rolin që luan Zvicra në mbështetje të reformave dhe të integrimit të Shqipërisë në BE.

“Krijimi para një viti i Dhomës së Tregtisë Zvicër-Shqipëri është shumë pozitiv dhe mundësitë për bashkëpunim në këtë drejtim janë të shumta”, – tha Presidenti Meta gjatë ceremonisë së akreditimit.

Ai vlerësoi në veçanti vijimin nga Zvicra të Strategjisë së Zhvillimit për Shqipërinë, për periudhën 2018-2021, të cilën e konsideroi si një mundësi shumë të mirë për të mbështetur pushtetin vendor dhe luftuar varfërinë në zonat e thella të vendit.

Maitre e merr detyrën e tij pas paraardhësit Christoph Graf, i cili e mbylli mandatin në Shqipëri në maj 2018. Para këtij emërimi ambasadori Maitre ishte zv.Drejtor i Bashkëpunimit me Europën Lindore dhe Azinë Qendrore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës. Ai është ambasadori i 8-të rezident në Shqipëri, që nga 1992.

Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve nisën formalisht në 1970, kur Zvicra mandatoi ambasadorin e saj në Beograd, ish-Jugosllavi, që të mbulojë marrëdhëniet me Shqipërinë. Në vitin 1992 Zvicra hapi për herë të parë ambasadën e saj në Tiranë.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.