Vlorë/ Përmirësimi i rrjetit, OSHEE vijon remontet

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ – Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike vijon punën për përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike, duke kryer disa remonte në linjat e Lumit të Vlorës.

OSHEE përmes një njoftimi bën me dije se, nga muaji korrik 2018 deri më sot kanë përfunduar remontet në fiderët kryesorë që furnizojnë numrin më të lartë të abonentëve.

Gjatë punimeve të cilat po kryen ditën e sotme, grupet e punës së OSHEE kanë kryer një remont në Fiderin 3 të nënstacionit Kocul, që furnizon fshatrat: Vllahinë, Kropisht, Peshkëpi dhe Vezhdanisht. Ndërrimi i traversave, izolatorëve, përcjellësve të amortizuar dhe drejtimi i shtyllave mbetet sfidë edhe për muajt në vazhdim. OSHEE ka kërkuar mirëkuptimin nga ana e banorëve për ndërprerjen e energjisë elektrike si pasojë e kryerjes së punimeve.

Për të minimizuar humbjet, OSHEE është duke kryer një sërë remontesh në të gjithë vendin.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.