Rama: Gëzuar ditëlindjen, Republika e Maqedonisë Veriore

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Parlamentit maqedonas i cili i hapi rrugën ndryshimeve kushtetuese, për të proceduar më pas me miratimin e ndryshimit të emrit në Republikën e Maqedonisë Veriore.

Kryeministri Rama shprehu urimet e përzemërta për Kryeministrin Zoran Zaev si dhe për të gjithë ata që punuan për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“Gëzuar ditëlindjen Republika e Maqedonisë Veriore. Urime të përzemërta Kryeministrit Zoran Zaev dhe të gjithë atyre që luftuan për këtë moment historik. Një derë e re e të ardhmes u hap sot për dy popujt tanë në Republikën e Maqedonisë Veriore”, shkruan Kryeministri Rama.

Parlamenti maqedonas votoi mbrëmjen e sotme në favor të ndryshimit të emrit të vendit, duke ndërmarrë një procedurë për ndryshimin e kushtetutës.

Të 80 ligjvënësit e pranishëm votuan në favor, duke siguruar shumicën e kërkuar prej dy të tretash të parlamentit me 120 vende, që i hap rrugë nismës për ndryshimet kushtetuese.

/e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.