Policia e Shtetit dhe policia greke, operacion të përbashkët antidrogë

TIRANE, 19 tetor/ATSH/- Policia e Shtetit finalizoi një operacion antidrogë në bashkëpunim me Policinë Greke. U arrestua në flagrancë transportuesi i lëndës narkotike një 24-vjeçar nga Saranda. Policia arrestoi në Athinë edhe pritësin e lëndës narkotike 35-vjeçarin nga Delvina.

Në operacion morën pjesë efektivë të Policisë Kufitare Sarandë, Policisë së Sarandës, Policisë Kufitare të Igumenicës dhe Antidrogës. Policia sekuestroi rreth 76 kilogramë cannabis sativa.

Efektivë të Policisë Kufitare Sarandë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë ishin vënë në ndjekje të disa personave, që dyshohej se po transportonin lëndë narkotike nëpërmjet kufirit jeshil. Policia ka bërë të mundur që në vendin e quajtur Koritiani Thesproti, Igumenicë të ndalohet një mjet tip “JEEP” me targa IKH 4455 me drejtues shtetasin shqiptar A.M. 24 vjeç, lindur në Sarandë dhe banues në Selanik.

Nga kontrolli i bërë nga policia greke në automjet ju gjetën rreth 73 kilogramë dhe 840 gramë kanabis sativa si dhe rreth 2 kg dhe 30 gr çokollatë (Cannabis i përpunuar), që dyshohet se e ka marrë në një rrugë rurale në kufirin shqiptaro-grek nga personat që ishin në ndjekje nga Policia Kufitare e Sarandës dhe Policia e Sarandës. Në vijim të hetimeve të përbashkëta, u bë e mundur që nga Policia greke të arrestohej edhe pritësi i lëndës narkotike në Kipseli, Athinë shtetasi shqiptar Xh. C, 35 vjeç lindur në Delvinë dhe banues provizor në Athinë. /o.l/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.