FOTO/ Manastiri i Shën Gjergjit, mes historisë dhe kultit

TIRANË,19 tetor /ATSH/ – Destinacionet e kultit tashmë po kthehen në atraksione turistike, kjo pasi institucionet përkatëse dhe specialistët e restaurimeve po i promovojnë përherë e më shumë këto vende mjaft interesante për t’u vizituar, pasi në to ndërthuret historia me kultin.

Një destinacion atraktiv për t’u vizituar është dhe Manastiri i Shën Gjergjit monument kulture i kategorisë I, i cili ndodhet në kodrën e Demës, që ngrihet në rripin më të ngushtë të tokës dhe ndan detin Jon me liqenin e Butrintit.

E gjithë sipërfaqja e kodrës në periudhën antike përshkohej nga një mur i fuqishëm, që ndante gadishullin e Ksamilit. Në shek. XV, në majën e kodrës mbi rrënojat e murit antik është ndërtuar manastiri i Shën Gjergjit.

Manastiri bën pjesë tek manastiret e fortifikuar, me mure të pajisura me kulla dhe frëngji. Përveç ambienteve të ndenjies dhe ambienteve ndihmëse, në qendër të manastirit ndodhet kisha e Shën Gjergjit, e cila është një rindërtim i shek. XIX.

Kisha ka një narteks të gjatë që të çon drejt naosit, mbi të cilin ngrihet një kupolë, ndërsa në lindje kufizohet nga një ikonostas muri që e ndan nga altari. Muret e brendshme të kishës janë zbukuruar me piktura murale, ku vihen re tre nivele pikturimi që i mbivendosen njëri-tjetrit.

Ky manastir ofron një panoramë mahnitëse, pasi mund të shohësh takimin e detit, qiellit dhe reve si kurorë mbi këtë vend kulti./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.