Delegacioni i biznesit nga Estonia, interesim të veçantë për portin e Durrësit

 

TIRANË, 19 tetor/ATSH/- Një grup biznesmenësh nga Estonia, që zhvillojnë veprimtarinë e tyre kryesisht në fushat e logjistikës dhe transportit, vizituan sot portin e Durrësit, ku veç takimeve prezantuese vizituan edhe disa nga Terminalet portuale.

Grupi prej 21 biznesmenësh të shoqatës “Prolog” u prit nga Sonila Toska, zv/drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit Portual të Durrësit, e cila bashkë me përshëndetjet e mikpritjes i njohu ata me disa nga zhvillimet e fundit në portin më të madh të vendit.

Më pas shefi i Sektorit të Promocionit në APD, Arben Xhemali, prezantoi situatën portuale dhe iu përgjigj interesimit të biznesmenëve nga Estonia.

Pjesëtarë të delegacionit Tonis Hinstov, Tom Annikve dhe Jaanus Paas, pasi falënderuan për mikpritjen, folën mbi funksionimin e shoqatës “PROLOG” dhe u ndalën te interesat e veçanta të biznesit estonez në fushat e teknologjisë së informacionit, si dhe të energjisë dhe infrastrukturës.

Një ditë më parë në një Forum të përbashkët biznesi Shqipëri – Estoni në Tiranë, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, shpjegoi se, përveç investimeve në infrastrukturë rrugore, Shqipëria po punon edhe për infrastrukturën portuale dhe hekurudhore.

Ndërkohë, ministri i Turizmit Blendi Klosi, vuri theksin pikërisht rritjes së bashkëpunimit për të shtuar praninë e turistëve në bashkëpunimin mes dy vendeve.

Bashkëpunimi tregtar mes Shqipërisë dhe Estonisë është akoma në nivele modeste dhe vizita e biznesit estonez në Durrës, si dhe Forumi i zhvilluar në Tiranë shërbejnë për të rritur më shumë këtë bashkëpunim./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.