BE financon në infrastrukturë dhe komplekse banimi, për komunitetin rom dhe egjiptian

TIRANË, 19 tetor /ATSH/- Sistemimi i rrugëve dhe hapësirave publike në kompleksin e ri të banimit dhe sigurimi i lidhjes së energjisë elektrike për 60 familje rome dhe egjiptiane në kompleksin e ri të strehimit në ”Lanabregas”, Tiranë, janë dy projekte që PNUD zbatoi me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, në kuadër të programit “Fuqizimi Ekonomik dhe Social i Romëve dhe Egjiptianëve – shtysë për përfshirjen sociale” (FESRE).

Këto dy projekte të perfunduara në 2017 në Lanabregas plotësuan projektin e bashkisë së Tiranës të ndërtimit të strehave të banimit në territorin e ish-Njësisë Ushtarake No. 8837, Shkozë, për familjet e prekura nga rehabilitimi në zonën e Bregut të Lumit, Tiranë, si dhe mundësuan shfrytëzimin e ndërtesave të banimit nga 60 familje rome.

Këto familje jetuan për 10 muaj në çadra dhe kasolle dhe depo ushtarake të improvizuara për banesa në kushte të vështira, pa ujë të pijshëm, tualete  dhe shfrytëzimi i banesave sociale ishte esencial për mirëqenien e tyre. Projektet u përzgjodhën nga vetë banorët e zonës dhe u miratuan gjithashtu nga bashkia Tiranë, duke patur parasysh problematikat e zonës dhe numrin e përfituesve nga ky projekt.  e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.