Ligji për Lojërat e Fatit, Basha: Nuk e votojmë, është maskaradë

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ftuar në emisionin “Opinion” theksoi se opozita nuk do të marrë pjesë në votimin e ligjit në Parlament për Lojërat e Fatit.

Duke folur për lojërat e fatit, Basha u shpreh se pas mbylljes së tyre fshihet një aferë e madhe korruptive.

“Po i jepet monopoli një kompanie online që qartësisht është në duart e Edi Ramës, të Olsi Ramës dhe Vangjush Dakos. Vërtetimin për këtë ne e kemi treguar si opozitë. Personat e lidhur me këtë koncesion dhe kontratë, zinxhiri i personave të çon tek personat e lidhur me Kryeministrin. Një ndër aksionerët kryesorë të “Apex”, njeri shumë i afërt i Edi Ramës ka shitur 4 muaj më parë aksionet e “Apex”-it austriakëve. Pse them i afërt i Edi Ramës? Çuditërisht ky njeri po merr lejen e ndërtimit tek Sahati dhe po ia merr ish-mikut të Edi Ramës, Ilir Matës dhe ka marrë dy kulla në qendër të Bllokut. Nuk do të shkojmë të votojmë, është maskaradë”, – theksoi Basha./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.