Me bastet mbyllet një plagë e shoqërisë

TIRANË, 18 tetor /ATSH- I. Vata/ Me mbylljen e basteve, i kemi dhënë përgjigje një plage të shoqërisë”, theksoi deputetja Blerina Gjylameti duke folur në Kuvend në emër të grupit parlamentar socialist.

“Është një vendim historik. Shumë na mbështetën në këtë nisëm, por ka dhe nga ata të krahut tjetër që hedhin llum. Pushteti i basteve është në duart e katër pesë njerëzve, për këtë arsye i ftoj kolegët e opozitës të mos mashtrojnë më sepse ky vendim është në interes të qytetarëve. 700 milionë dollarë të përqendruar në pak duar dhe nga 1 janari i vitit 2019 do injektohen në ekonominë e vendit, duke gjeneruar vende të reja puna”, tha deputetja e PS-së

Gjylameti foli edhe për buxhetin e vitit 2017, duke theksuar se ekonomia shqiptare ka ngritje reale.

“Rritja ekonomike në Shqipëri është nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor dhe kjo performance e ekonomisë shqiptare është vlerësuar pozitivisht nga institucionet mbikqyrëse financiare, si Komisioni Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore”, tha deputetja e PS-së Blerina Gjylameti, e cila foli në Kuvend në emër të grupit parlamentar të PS-së.

“Rritja ekonomike u reflektua edhe në zgjerimin e tregut të punës ku norma mesatare  vjetore e papunësisë ra në 14.1 %. Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të ulët të papunësisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha ajo.

Po ashtu, Gjylamenti shtoi se sot kemi një rritje reale ekonomike 3.8% duke kujtuar se 2017 ishte një vit elektoral. “Në çdo vit elektoral kemi pasur çoroditje të financave, por kjo nuk ndodhi në vitin 2017 dhe kjo flet për punën e vazhdueshme nga kjo qeveri për interesat e atyre që e kanë votuar”, tha ajo.

Gjatë këtyre pesë viteve, qeveria ka garantuar stabilitet makro-ekonomik.

“Qeveria nuk krijoi borxh të ri publik, për më tepër e reduktoi borxhin me 2.2%  nga niveli që regjistronte në 2016, përkatësisht nga 72.3% e PBB, ra në  70%, siç edhe parashikohet në dy vitet e ardhshme të vijojë në rënie”, tha ajo.

Opozita të bëhet pjesë e vendimmarrjes

Duke folur për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Gjylameti ftoi opozitë të bëhet pjesë e vendimmarrjes politike.

“Shqipëria është në një moment historik për anëtarësim në BE dhe ky është një moment për të punuar të gjithë bashkë, prandaj e ftojë opozitën të jetë pjesë konstruktive duke marrë bashkërisht vendime më të drejta”, tha ajo. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.