Vonesat në deklarimin e destinimit të fitimit, penalizimi me një gjobë të vetme

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ – Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sjell në vëmendje të tatimpaguesve, se janë bërë disa ndryshime në ligjin ”Për tatimin mbi të ardhurat”.

Në mënyrë të përmbledhur ndryshimet konsistojnë në dy momente: Personat fizikë nuk duhet të depozitojnë në organet tatimore vendimin e destinimit të fitimit.

Dhe personi juridik, i cili dorëzon me vonesë në organin tatimor vendimin e destinimit të fitimit, penalizohet vetëm me një gjobë prej 10,000 lekë dhe jo më sikundër ka qenë me gjobë 10,000 lekë për çdo muaj vonesë.

Këto rregullime vijnë si nevojë për reflektim: “Të ardhurat e personit fizik tregtar nga ushtrimi i aktivitetit tregtar tatohen vetëm sipas kreut III “Tatimi mbi fitimin” (nenet 16-32 të ligjit) në rastin e subjekteve me xhiro mbi 8 milionë lekë në vit dhe sipas ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, për subjektet me xhiro deri në 8 milionë lekë në vit. Personi fizik tregtar nuk ka personalitet juridik të ndryshëm nga individi (i regjistruar si tregtar), ndryshe nga rasti i shoqërive tregtare dhe ortakëve të saj individë dhe rrjedhimisht fitimi neto i personit fizik tregtar nuk konsiderohet si e ardhur personale e tatueshme e individit, subjekt i pikës “g” të nenit 8 të ligjit””

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e angazhuar në informimin e saktë dhe në kohë të tatimpaguesve, me qëllim përmbushjen korrekte të detyrimeve tatimore. o/l/.j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.